Serwer paralajmëron: Trump do të ofrojë ndarjen e Kosovës si shkëmbim territori me Serbinë

Serwer paralajmëron: Trump do të ofrojë ndarjen e Kosovës si shkëmbim territori me Serbinë

Profesor në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer paralajmëron se presidenti amerikan Donald Trump është i prirur të ofrojë ndarjen e Kosovës si shkëmbim territori me Serbinë. Sipas Serwer, kjo ide po mbështetet edhe nga Ric Grenell, i cili e sheh këtë si një “ide të shkëlqyer”.

“Trump dhe Grenell janë nacionalistë etnikë të përkushtuar të llojit supremacist të bardhë,” tha Serwer, duke theksuar se “Serbia nuk do ta pranojë ndarjen e saj.” Ai shtoi se “Veriu me shumicë serbe i Kosovës do t’i kalonte Serbisë, dhe komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë do t’i kalonin Kosovës.”.

Serwer paralajmëroi edhe për pasojat e përfshirjes së Trump në këtë çështje: “Çdo përpjekje që ai bën tani mund të shkaktojë edhe më shumë dëme.” Ai rekomandon që Kosova dhe Serbia të mos kërkojnë ndihmë nga figura si Trump dhe Grenell, por të vazhdojnë dialogun teknik për zgjidhje konkrete: “Në këtë pikë, Beogradi dhe Prishtina e njohin mirë njëri-tjetrin për të vazhduar me çështjet teknike edhe pa ndërmjetësimin e BE-së.”

Serwer përfundoi me një mesazh të qartë: “Një president i çoroditur si Trump nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të marrë merita për gjëra që s’i ka bërë dhe të premtojë më shumë. Por ai po dështon kudo: Gaza, Irani, Ukraina dhe tregtia janë të gjitha në kaos. Mungesa e koherencës së tij nuk është e shëndetshme. Kujdes çfarë dëshironi”.

Related Articles