Shumë gra kosovare ndajnë jetën me burra të cilët ushtrojnë dhunë psikike e fizike ndaj tyre. Ato rrezikojnë jetët e tyre duke banuar nën një çati me burra që s’hezitojnë t’i kërcënojnë edhe me jetë bashkëshortet e tyre.
Në Polici kanë përfunduar sot edhe një çift nga Fushë Kosova, pasi burri dyshohet se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 45-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke deklaruar se i shoqi ka provuar ta ndalojë të shkojë në punë, teksa dyshohet që e ka kërcënuar se nuk del e gjallë nga vendi i punës.
Si rezultat i denoncimit, 53-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.