Shabani i emocionuar pasi fitoi medalje në Evropian

Shabani i emocionuar pasi fitoi medalje në Evropian

Me shumë emocione është shprehur karateisti Elhami Shabani pasi e arriti suksesin më të madh në karrierë.

Shabani të shtunën e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian në Gaziantep të Turqisë, në kategorinë deri në 75 kilogramë.

“Këtë kampionat Evropian e kam pritur tash e sa vjet. Kam ushtruar një jetë, kam vuajtur për këtë ditë. Prej momentit kur jam nisur për këtë Kampionat Evropian, kam folur edhe me selektorin dhe të gjithë dhe u kam thënë që e vetmja arsye pse po nisem për këtë Kampionat Evropian është medalja. E kam menaxhuar shumë mirë situatën, kam punuar shumë. Para meçit për medalje, i kam thënë vetes se këtë moment e ke pritur tash e sa kohë dhe nuk guxon ta lëshosh rastin. Mendoj se e kam arritur qëllimin dhe jam shumë i lumtur. I falënderoj të gjithë ata që kanë punuar me mua. Ende nuk jam këndellur mirë, jam shumë i lumtur. Kjo do të ma ndryshojë jetën, sepse secili garues e ka ëndërr një medalje, tërë jetën ushtron që kur ta lë karrierën në fund, ta ketë një medalje. Medalja shkon edhe për familjen”, tha fillimisht Shabani pas triumfit.

Ai më pas pati edhe një mesazh për të rinjtë që merren me sporte të ndryshme, në veçanti karateistëve të rinj.

“Garuesve unë ju them që mos mendoni se nëse nuk e ke arritur medaljen sivjet është fundi. Mos thoni nuk do të ushtroj deri në vitin tjetër sepse nuk kam gara. Kur të vijë dita jote, duhet të jesh i përgatitur. Ndoshta sot, nesër, një ditë tjetër nuk vjen, por ajo ditë mund të vijë pas një dekade apo dy. Dhe kur të vijë, duhet të jesh i përgatitur për ta fituar medaljen”, është shprehur Shabani 28-vjeçar, i cili në fund dha edhe mesazhin emocionues për babanë e tij.

“Kjo medalje shkon për familjen time e në veçanti për babanë tim. Për 20 vjet rresht, ai më ka dërguar në stërvitje me veturë, kemi pirë kafe e jemi kthyer në shtëpi. Mendoj që shumicën e garave kam luftuar që të them se babai im, e ka djalin kampion”, ka përfunduar Shabani.

Related Articles