Mesfushori ofensiv Mykhaylo Mudryk, sipas të gjitha gjasave, do të largohet nga skuadra e Shakhtar Donetskut. Largimin e tij në janar e kanë pranuar edhe nga klubi ukrainas, ka njoftuar “Goal” të enjten.
Madje, drejtori sportiv i Shakhtarit, Carlo Nicolo, ka thënë se Arsenali edhe Manchester City tashmë kanë bërë oferta për 21-vjeçarin. Megjithatë, Shakhtari ka thënë se po kërkon të paktën 100 milionë euro për Mudrykun.
“As 50 milionë nuk mjaftojnë. Madje, as nuk do t’i fillojmë bisedimet me asnjë klub, ndonëse interesimi është i fortë nga Arsenali e City. Ne e vlerësojmë Mudrykun më shumë se Antonyn e Manchester Unitedit, i cili ka kushtuar 100 milionë euro”, tha Nicolini.
Mudryk ka kontratë me Shakhtarin deri në fund të vitit 2026 dhe këtë edicion po shkëlqen. Ka gjashtë gola e shtatë asistime në 11 paraqitje në të gjitha garat.