Analisti Azdren Shala ka thënë se fakti që ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar për pesë orë nga Prokuroria Speciale, aty nuk bëhet fjalë vetëm për rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore.
Shala tha se Prokuroria ia ka hetuar krejt shkeljet që janë bërë brenda katër viteve në Ministrinë e Bujqësisë, teksa dha detaje edhe për një rast tjetër, ku sipas tij, një kompani operon pa kontratë në një pronë të ministrisë së Faton Pecit.
“Kemi edhe raste të tjera kur Faton Peci vepron në baza selektive. Shembull, brenda Ministrisë së Bujqësisë, tri kompanive që operojnë në Kosovë, pronë e Ministrisë së Bujqësisë i janë vu shiritat dy prej tyre, kurse njërës nuk i janë vu”.
“Sipas zyrtarit të ministrisë, kompanisë së cilës nuk i janë vu shiritat nuk ka kontratë, vazhdon të operojë pa kontratë. Nëse ka dhe zyrtari s’e di, është mirë që Peci të na tregojë se pse ky vazhdon të operojë e këta dy jo”, tha Shala në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se e irriton fakti se si del kabineti i Kurtit në mbrojtje të Pecit, teksa përmendi reagimin e deputetes Albulena Haxhiu dhe bashkëkryetares së Pecit, Donika Gërvalla.
“Mendoj që Kurti do ta përdorë Pecin si rast për t’i dhënë drejtim apo për ta forcuar argumentin e tij se Prokuroria është e kapur. Këta do ta bëjnë një gjyq popullor mbrapa”.
“Albin Kurti është kupola e krejt këtyre. Fakti që i merr në mbrojtje, i përdor dhe e forcon diskursin e tij që njëmend Prokuroria është vegël e kapur nga ish-pushtetet, kurse gjyqi popullor do të zhvillohet krahas gjyqit real”, tha ai.