Xherdan Shaqiri pritet t’i bashkohet javën e ardhshme Luganos në stërvitje. Kështu ka raportuar të enjten “Blick”. Gazeta e madhe zvicerane ka raportuar se kanë mbetur vetëm edhe disa detaje për t’u finalizuar përpara se Shaqiri t’i bashkohet klubit zviceran.
Lugano është në pronësi të sipërmarrësit amerikan Joe Mansueto, që po ashtu është pronar i Chicago Fire. Shaqiri ka përfunduar kampionatin me Chicago Fire dhe i duhet ta mbaj formën deri para grumbullimit me Zvicrën për Botërorin e Katarit. Botërori në Katar nis më 20 nëntor.
“Sipas informacioneve të ‘Blick’, duhet të sqarohen vetëm detajet e fundit për çështjet e sigurimeve dhe Shaqiri është planifikuar të marrë pjesë në stërvitjen e ekipit të fitues të Kupës për herë të parë javën e ardhshme”, shkruan “Blick”.
31-vjeçari në 29 ndeshje në kampionatin MLS të SHBA-ve ka shënuar shtatë gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime. Ai është lider te Zvicra.