Ambasadorja amerikane për Drejtësinë Penale Globale, Beth Van Schaack, tha se rastet që po trajtohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë thelbësore për ndërtimin e një sistemi të pavarur gjyqësor dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës në vend.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë, ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes së këtij institucioni nga komuniteti ndërkombëtar, shkruan Gazeta Enigma.
“Gjykata trajton krime lufte, por gjithashtu kontribuon në vendosjen e shtetit të së drejtës brenda Kosovës. Ne po bëjmë gjithçka për ta përkrahur atë ndërsa vazhdon punën,” tha Van Schaack.
Ajo theksoi se përveç gjykimit të ish-zyrtarëve të lartë, disa raste lidhen me përpjekje për të penguar drejtësinë, përfshirë frikësimin e dëshmitarëve.
“Këto janë po aq të rëndësishme për të garantuar që drejtësia funksionon pa ndikime të jashtme,” shtoi ajo.
Van Schaack rikujtoi se DhSK është një gjykatë kosovare me bazë në Hagë, që ndjek një model hibrid duke përfshirë ekspertë ndërkombëtarë në pozita kyçe.
Ajo gjithashtu njoftoi se SHBA ka dërguar kryeprokuroren Kim West për të mbështetur punën e Dhomave të Specializuara.
“ShBA-ja ka qenë gjithmonë mbështetëse e këtij institucioni dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në rrugën drejt drejtësisë,” përfundoi Van Schaack./GazetaEnigma/