Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u bëri thirrje të dielën autoriteteve kineze që të nxisin Iranin të mos mbyllë Ngushticën e Hormuzit, njërës prej rrugëve kryesore në botë për transportim të naftës.
Deklarata e Rubios në emisionin “Sunday Morning Futures with Maria Bartiromo” në Fox News erdhi pasi televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se Parlamenti i Iranit ka miratuar një masë për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz.
“Inkurajoj Qeverinë kineze në Pekin që t’i telefonojë [Iranit] për këtë çështje, sepse ata varen rëndë nga Ngushtica e Hormuzit për furnizimin me naftë”, tha Rubio, i cili shërben gjithashtu si këshilltar për sigurinë kombëtare.
“Nëse e bëjnë këtë, do të jetë një tjetër gabim i rëndë. Është vetëvrasje ekonomike për ta. Ne kemi opsione për ta trajtuar, por edhe vendet e tjera duhet ta shohin me seriozitet. Do t’i dëmtonte ekonomitë e tyre shumë më tepër se sa tonën”.
Rubio theksoi se një vendim për të mbyllur ngushticën do të përbënte një përshkallëzim masiv, që do të kërkonte përgjigje nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.