Presidenti i Republikës Srpska në BeH, dje shkoi në Beograd për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Milorad Dodik, i sanksionuari i Amerikës paralajmëroi krijimin e një sistemi zgjedhor paralel nga qeveria e RS.
Për këtë deklaratë, ka reaguar sot Ambasada e Amerikës në Sarajevë.
Në një postim në X, ambasada ka shprehur shqetësimin se paralajmërimi i Dodikut do të ishte antikushtetues dhe kundër marrëveshjes së Dejtonit dhe do t’i privonte votuesit e RS nga të drejtat themelore demokratike të garantuara atyre në kushtetutën e BeH.
“Çdo zgjedhje e zhvilluar sipas një sistemi zgjedhor jokushtetues, paralel, nuk do të kishte legjitimitet dhe ata të përfshirë në organizimin e tij do të angazhoheshin në aktivitete antidemokratike, antikushtetuese dhe anti-Dejton. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se janë të përgatitura për t’iu përgjigjur veprimeve anti-Dejton nga aktorët lokalë dhe se mbështesin veprimet e Përfaqësuesit të Lartë për të bërë të njëjtën gjë”, thuhet në reagim.
Sipas këtij reagimi, Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë ndërsa ai ndjek agjendën e tij dhe e shtyn vendin drejt konfliktit.
“Çdo përpjekje e një entiteti apo ndonjë njësie tjetër nënshtetërore për t’u shkëputur është një veprim anti-Dejton që nuk do të tolerohet. Republika Srpska është një ent brenda shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Është pjesë integrale e vendit, por as Republika Srpska dhe as Federata nuk ekzistojnë jashtë Bosnje-Hercegovinës. Kushtetuta e BiH nuk parashikon të drejtën e shkëputjes së një entiteti apo ndonjë njësie tjetër nënshtetërore”.