Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 30 shtator kanë vendosur sanksione të reja ndaj qindra individëve rusë, pasi presidenti, Vladimir Putin, nënshkroi “traktatet e pranimit” për aneksimin e katër rajoneve ukrainase.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se në listë janë qindra anëtarë të legjislaturës ruse, drejtues të infrastrukturës financiare dhe ushtarake të vendit, dhe furnizues që mbështesin kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë.
Departamenti i përshkroi sanksionet si “të shpejta dhe të rënda”, në përgjigje të “aneksimit të supozuar” të Putinit të rajoneve ukrainase: Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Yanet Yellen, tha se po ndërmarrin veprime gjithëpërfshirëse, “për të dobësuar edhe më tej kompleksin ushtarak-industrial tashmë të degraduar të Rusisë dhe për të minuar aftësinë e saj për të zhvilluar luftën e paligjshme”.
Njoftimi i Departamentit të Thesarit u koordinua me Departamentin e Tregtisë, i cili shtoi 57 kompani në listën e shkelësve të kontrollit të eksporteve.
Përveç kësaj, Departamenti amerikan i Shtetit vendosi kufizime për viza për 910 persona, duke përfshirë anëtarë të ushtrisë ruse, zyrtarë ushtarakë bjellorusë dhe përfaqësues rusë që veprojnë në rajone ukrainase të kontrolluara nga Rusia.
Sanksione u vendosën edhe ndaj anëtarëve të familjes së kreut të Moskës dhe kufizime për viza ndaj shtetasit rus, Ochur-Suge Mongush, i cili akuzohet nga SHBA-ja për torturimin e një të burgosuri lufte ukrainas.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja e kundërshton “pa mëdyshje përpjekjen mashtruese të Rusisë për të ndryshuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës”.
Ai tha se SHBA-ja bashkë me liderët tjerë të G7-s po japin paralajmërim të qartë se vendet do të japin llogari “për çdo individ, entitet ose vend që ofron mbështetje politike ose ekonomike në përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të ndryshuar statusin e territorit ukrainas”.
Sanksionet shtesë të shpallura më 30 shtator, pasojnë një varg sanksionesh të mëhershme të SHBA-së dhe Perëndimit, që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës, më 24 shkurt.