Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë vendosur sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë të grupit Houthi duke thënë se masat ishin për rolet e tyre në mbështetjen ose drejtimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Të sanksionuarit janë ministri i mbrojtjes së Houthi, Mohamed Nasser al-Atifi, komandanti i Forcave Detare, Muhammad Fadl Abd Al-Nabi, shefi i forcave të mbrojtjes bregdetare Muhammad Ali al-Qadiri dhe Muhammed Ahmad al-Talibi, shkruan Al Jazeera, transmeton Klan Kosova.
“Sulmet e vazhdueshme terroriste të Houthis mbi anijet tregtare dhe ekuipazhet civile … kërcënojnë të prishin zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar dhe lirinë e lundrimit, e cila është kritike për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin global”, ka thënë nënsekretari i Thesarit të ShBA-së për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson në një deklaratë.
Britania tha se katër burrat ishin të përfshirë në akte që “kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Jemenit”.
Houthis thonë se operacionet e tyre në Detin e Kuq janë në solidaritet me palestinezët dhe kanë për qëllim t’i bëjnë presion Izraelit që të ndalojë luftën e tij në Gaza.