Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar me veto një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të bënte thirrje për “armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm” në Gaza, ndërsa 14 shtete të tjera anëtare të këtij institucioni votuan “për”.
Në rezolutën e bllokuar nga Uashingtoni, situata në Gaza quhej “katastrofale” dhe me të kërkohej “heqje e menjëhershme dhe e pakushtëzuar e të gjitha kufizimeve ndaj hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza dhe shpërndarja e tyre e sigurt dhe e papenguar në shkallë masive, përfshirë nga OKB-ja dhe partnerët humanitarë”, shkruan gazeta “The Guardian”.
Kjo ishte hera e pestë që Shtetet e Bashkuara bllokuan me veto një draft-rezolutë të Këshillit të Sigurimit për armëpushim me qëllim që ta mbrojnë Izraelin. Uashingtoni kishte bllokuar me veto një rezolutë të ngjashme në nëntor, në kohën e administratës së ish-presidentit Joe Biden, me arsyetimin se kërkesa për armëpushim nuk ishte drejtpërdrejt e lidhur me lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjitha pengjeve nga Hamasi.
Draft-rezoluta ishte bashkësponsorizuar nga Algjeria, Danimarka, Greqia, Guajana, Pakistani, Panamaja, Koreja e Jugut, Sierra Leone, Sllovenia dhe Somalia. Në favor të saj votuan edhe katër anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit: Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina.