Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë vendosur sanksione ndaj miliarderit të miqësuar me Rusinë, ish-kryeministrit dhe themeluesit të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, Bidzina Ivanishvili, për minimin e demokracisë së Gjeorgjisë për “përfitimet e Federatës Ruse”.
“Nën udhëheqjen e Ivanishvilit, Ëndrra Gjeorgjiane i ka çuar përpara interesat e Kremlinit duke devijuar trajektoren euroatlantike të Gjeorgjisë – në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që është ëndërruar nga populli dhe Kushtetuta e Gjeorgjisë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 27 dhjetor.
Blinken shtoi se “veprimet e Ivanishvilit dhe të Ëndrrës Gjeorgjiane i kanë shkatërruar institucionet demokratike, e kanë mundësuar shkeljen e të drejtave të njeriut dhe kanë kufizuar ushtrimin e lirive themelore në Gjeorgji”.
“Ne i dënojmë fuqimisht veprimet e Ëndrrës Gjeorgjiane nën udhëheqjen e Ivanishvilit, përfshirë shtypjen e vazhdueshëm dhe të dhunshëm ndaj qytetarëve gjeorgjianë, protestuesve, anëtarëve të medias, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe figurave opozitare”, thuhet në njoftim.
Sanksionet nënkuptojnë se transaksionet e entiteteve në pronësi të Ivanishvili do të bllokohen, sipas njoftimit.
Sipas Bloomberg News, pasuria e Ivanishvilit vlerësohet të jetë 7.5 miliardë dollarë, shumicën e të cilës ai e ka fituar përmes aseteve të metaleve dhe telekomunikacionit në Rusi gjatë viteve të ’90-ta.
Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, e quajti vendimin e SHBA-së “shantazh” dhe tha se ky është “shpërblimi” i Ivanishvilit për mbrojtjen e interesave kombëtare të Gjeorgjisë.
Megjithatë, lideri i opozitës, Giorgi Vashadze nga Unity National Movement, e përshëndeti vendimin e SHBA-së, sipas agjencisë së lajmeve të Gjeorgjisë, Interpress.
Më 12 dhjetor, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do ta “ndalonin lëshimin e vizave për ata që janë përgjegjës për, ose të përfshirë në, minimin e demokracisë në Gjeorgji”.
Sanksionet prekin rreth 20 njerëz, “përfshirë individë që shërbejnë si ministra qeveritarë dhe në Parlament, zyrtarë të forcave të rendit dhe të sigurisë, si dhe qytetarë privatë”, thuhet tutje në njoftim, pa përmendur emrat e individëve.
Gjeorgjia, dikur aleate e ngushtë e SHBA-së, i ka zemëruar Uashingtonin dhe Bashkimin Evropian duke treguar afërsi të dukshme me Rusinë dhe duke shtypur dhunshëm kundërshtarët e vet në vend.
Sanksionet vijnë në një kohë vendimtare, pasi fati i Gjeorgjisë është në pikëpyetje – nëse ajo do të vazhdojë t’i afrohet edhe më shumë Moskës, do të kthehet në rrugën proevropiane, apo do të mbetet në një mjedis trazirash dhe pasigurie.
Policia në Tbilisi është përleshur me protestues properëndimorë gjatë javëve të fundit, duke arrestuar dhjetëra dhe duke lënduar shumë njerëz që e akuzojnë Qeverinë e partisë Ëndrra Gjeorgjiane për largimin e vendit nga rruga drejt Bashkimit Evropian dhe afrimit të tij me Moskën.
Kriza politike shpërtheu pasi Ëndrra Gjeorgjiane e shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare të tetorit, të cilat Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) tha se u shoqëruan me raste të blerjes së votave, votimit të dyfishtë, dhunës fizike dhe frikësimit.
Protestat u rritën pas një vendimi të Qeverisë muajin e kaluar për t’i shtyrë bisedimet për anëtarësimin e Gjeorgjisë në BE.
Organizata me bazë në Nju Jork, Human Rights Watch (HRW), më 24 dhjetor bëri thirrje për hetimin e forcave të sigurisë gjeorgjiane për “dhunën brutale policore” ndaj protestuesve kryesisht paqësorë që kanë dalë në rrugë për demonstrata të mëdha kundër Qeverisë.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili – e cila është ndarë nga Qeveria dhe ka mbështetur protestuesit – më 22 dhjetor i bëri thirrje Ëndrrës Gjeorgjiane ta caktojë një datë për zgjedhjet e reja parlamentare deri më 29 dhjetor.
Në fillim të këtij muaji, një kolegj elektoral i dominuar nga Ëndrra Gjeorgjiane e zgjodhi Mikheil Kavelashvilin, një 53-vjeçar ish-futbollist dhe populist të krahut të djathtë, si presidentin e ardhshëm të Gjeorgjisë.
Ai pritet të marrë detyrën më 29 dhjetor, megjithëse 72-vjeçarja Salome Zurabishvili, mandati i së cilës përfundon këtë vit, ka thënë se nuk do ta lirojë pozitën./REL