Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Iranit një propozim për marrëveshje bërthamore, që Shtëpia e Bardhë tha se është “e pranueshme” dhe është “në interesin më të mirë” të Teheranit që ta pranojë, raportuan mediat amerikane më 1 qershor.
Raportimet për këtë propozim vijnë pas një raporti të Kombeve të Bashkuara që tha se Republika Islamike ka rritur prodhimin e pasurimit të uraniumit në nivele të larta.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se atij i janë paraqitur “elemente të një propozimi të SHBA-së” nga homologu i tij nga Omani gjatë vizitës së tij në Teheran të shtunën.
“I dërguari [i SHBA-së, Steve] Witkoff ka dërguar një propozim të detajuar dhe të pranueshëm te regjimi iranian dhe është në interesin më të mirë të tyre që ta pranojnë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, raportoi New York Times.
Propozimi është përshkruar si një seri pikash kyç, e jo si një draft i plotë, sipas New York Times, që ka cituar zyrtarë që kanë njohur me këtë këmbim diplomatik.
Propozimi i bën thirrje Iranit që të ndalë të gjithë pasurimin e uraniumit dhe propozon krijimin e një grupi rajonal për të prodhuar energji bërthamore, grup që përfshin Iranin, Arabinë Saudite dhe shtete të tjera arabe, si dhe SHBA-në.
Irani ka mbajtur pesë runde bisedimesh me SHBA-në në kërkim të një marrëveshjeje të re që do të zëvendësonte marrëveshjen me fuqitë bërthamore, nga e cila presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë presidencial më 2018.
Araghchi tha të shtunën se Irani i konsideron armët bërthamore “të papranueshme”.
Këto deklarata ai i bëri një ditë pasi Trumpi tha se Irani “nuk mund të ketë armë bërthamore”, teksa u shpreh që shpreson që së shpejti të arrihet një marrëveshje.