ShBA-ja dhe Tajvani ka të ngjarë të jenë në gjendje të shmangin një pushtim kinez, por ai do të vinte me humbje të mëdha nga të dyja palët, zbulon një analizë e grupeve të ekspertëve.
Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me bazë në Uashington, ka zhvilluar lojëra lufte për të imagjinuar se si do të ndodhte një konflikt i tillë.
“Lajmi i mirë është se në fund të të gjitha përsëritjeve të deritanishme, ekziston një Tajvan autonom”, tha për Insider Mark Cancian, një këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara dhe Tajvani janë përgjithësisht të suksesshëm në mbajtjen e ishullit jashtë pushtimit kinez, por çmimi i kësaj është shumë i lartë – humbjet e qindra avionëve, aeroplanmbajtësve dhe shkatërrimi i tmerrshëm për ekonominë tajvaneze dhe gjithashtu për marinën kineze dhe forcat ajrore”.
Sipas The Times të Londrës, në një nga skenarët më pesimistë, 900 avionë luftarakë dhe sulmues amerikanë do të humbeshin brenda katër javësh, ekuivalente me gjysmën e avionëve luftarakë të Forcave Ajrore dhe Marinës së ShBA-sw.
Por ndërsa SHBA-ja ka të ngjarë të pësojë humbje të mëdha në një konflikt të plotë me Kinën, Cancian vëren se, në përgjithësi, Kina ka të ngjarë të vuajë më shumë.
“Unë do të thosha në shumicën e skenarëve, flota kineze vuan shumë më tepër sepse është shumë e ekspozuar”, tha ai.
Ai vuri në dukje se ata do të humbnin mbi 100 anije gjatë një pushtimi amfib.
Lojërat e luftës janë krijuar për të ndihmuar të parashikojnë se si do të zhvillohen konfliktet. Në këtë konflikt të imagjinuar, i cili do të ndodhte në vitin 2026, secila palë zotëron vetëm aftësi ushtarake që i ka demonstruar tashmë në jetën reale.
Ekipi e ka drejtuar deri tani lojën 18 nga 22 herë dhe planifikon të publikojë raportin përfundimtar në dhjetor.
Lojërat përfshijnë dy tabela me një hartë operacionale të Paqësorit Perëndimor, duke përfshirë Tajvanin, Japoninë dhe Kinën.