Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro, të cilin Uashingtoni e akuzon se ka dështuar të frenojë trafikimin e paligjshëm të drogave. Edhe gruaja dhe djali i tij janë sanksionuar.
“Presidenti Petro ka lejuar kartelet e drogës që të lulëzojnë dhe ka refuzuar që të ndalë këtë aktivitet”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, përmes një njoftimi për këtë vendim.
“Presidenti [amerikan, Donald] Trump po ndërmerr veprime të fuqishme për të mbrojtur kombin tonë dhe kjo e bën të qartë se ne nuk do të lejojmë që droga të trafikohet në shtetin tonë”, shtoi ai.
Sanksionet vijnë në mes të një mosmarrëveshjeje midis Petros dhe Trumpit, me liderin kolumbian që e ka akuzuar homologun e tij amerikan për “ekzekutime jashtëgjyqësore” që “shkelin ligjin ndërkombëtar” lidhur me sulmet amerikane ndaj anijeve që dyshohet se kontrabandojnë drogë.
Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar 10 anije dhe kanë vrarë të paktën 43 persona brenda më pak se dy muajve, sipas një përllogaritjeje të bërë nga agjencia AFP, bazuar në të dhënat amerikane.
Kolumbia ka kërkuar që Uashingtoni të ndalë sulmet, gjë që ka zemëruar Trumpin, i cili e ka quajtur Petron “bandit” dhe “trafikant droge”.
Trump po ashtu ka njoftuar për ndërprerjen e ndihmës amerikane për Kolumbinë në vlerë prej qindra miliona dollarësh dhe ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj mallrave kolumbiane.
Petro ka reaguar pas lajmit se ai dhe familja e tij janë vendosur në listën e zezë amerikane.
“Asnjë hap prapa dhe kurrë i gjunjëzuar”, shkroi Petro në rrjetet sociale, duke ripërsëritur slogane të përdorura nga revolucionarët e Amerikës Latine.
Sanksionimi i Petros është thënë se ka të bëjë me përhapjen ndërkombëtare të drogave të paligjshme apo mjeteve për prodhimin e tyre.
Gjatë një konferencë për media të enjten, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i tha gazetarëve se Uashingtoni “për momentin nuk sheh asnjë ulje të tensioneve nga udhëheqësi i pamatur i Kolumbisë”./rel/
