SHBA-ja të mërkurën po përpiqej të sekuestronte një cisternë nafte, e cila po ndiqej nga një nëndetëse ruse, pas një ndjekjeje më shumë se dyjavore nëpër Atlantik si pjesë e një “bllokade” amerikane të eksporteve të naftës venezueliane, thanë dy zyrtarë amerikanë për Reuters.
Duket se kjo është hera e parë në kohët e fundit që ushtria amerikane përpiqet të sekuestroj një anije nën flamurin rus.
Përpjekja për sekuestrim, e cila u raportua Reuters, erdhi pasi cisterna, e njohur fillimisht si Bella-1, arriti të shpëtonte nga një bllokadë amerikane detare ndaj cisternave të sanksionuara në Karaibe dhe i refuzoi përpjekjet e Gardës Bregdetare amerikane për të hipur mbi të.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se operacioni i mërkurës pranë Islandës po kryhej nga Garda Bregdetare dhe ushtria amerikane.
Zyrtarët thanë se anijet ushtarake ruse ndodheshin në përgjithësi pranë zonës së operacionit, përfshirë një nëndetëse ruse. Nuk ishte e qartë sa afër ndodheshin anijet nga operacioni, por nuk kishte tregues për një përplasje midis forcave ushtarake amerikane dhe ruse.
Nga Moska nuk pati komente të menjëhershme. Megjithatë, media shtetërore ruse RT publikoi një imazh të një helikopteri që fluturonte pranë anijes.
Komanda Evropiane e SHBA-së përmes një postimi në “X” thotë se Departamenti i Drejtësisë dhe ai i Sigurisë Kombëtare “sot njoftuan sekuestrimin e M/V Bella 1 për shkelje të sanksioneve të SHBA-së”.
Në një postim në X, ata shtuan: “Anija u sekuestrua në Atlantikun e Veriut në bazë të një urdhri gjykate federale amerikane, pasi u ndjek nga USCGC Munro.”
