Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që ndodhen në Iran të largohen menjëherë nga vendi, për shkak të përshkallëzimit të protestave dhe pasigurisë së shtuar.
Në një njoftim të publikuar nga Virtual Embassy Tehran, e drejtuar nga Departamenti i Shtetit, thuhet: “Leave Iran now” (“Largohuni nga Irani tani”), duke i këshilluar amerikanët të planifikojnë largimin pa pritur ndihmë nga qeveria amerikane.
Alarmi i sigurisë paralajmëron për protesta të përshkallëzuara, dhunë të mundshme, arrestime, ndërprerje të internetit dhe masa të shtuara sigurie.
Autoritetet amerikane theksojnë se çdo lidhje e dukshme me SHBA mund të çojë në ndalime, pasi Irani nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë dhe trajton qytetarët me shtetësi të dyfishtë SHBA-Iran vetëm si iranianë.
Qytetarët amerikanë janë këshilluar të largohen përmes rrugëve tokësore, përfshirë kufijtë me Armeninë ose Turqinë, nëse kjo është e sigurt. Ata që nuk mund të largohen janë udhëzuar të qëndrojnë në vende të sigurta, të shmangin demonstratat, të mbajnë profil të ulët dhe të sigurojnë rezerva ushqimore, ujë dhe medikamente.
