SHBA ka njoftuar për një paketë fillestare prej 85 milionë dollarësh në ndihmë emergjente për njerëzit e prekur nga tërmetet vdekjeprurëse në Turqi dhe Siri.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar tha në një deklaratë se fondet do t’u shkojnë partnerëve në terren për të ofruar ndihmën e nevojshme urgjente për miliona njerëz, duke përfshirë ushqimin, strehimin dhe shërbimet shëndetësore emergjente.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka folur me ministrin e financave të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, se si SHBA mund të ofrojnë ndihmë në Turqi dhe Siri.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA do të vazhdojë të kërkojë qasje të papenguar humanitare në Siri dhe i kërkoi qeverisë së Bashar al-Assadit të lejojë menjëherë ndihmën përmes të gjitha pikave kufitare, duke shtuar se SHBA pret që së shpejti të ketë më shumë për të thënë për ndihmën për Turqinë. Ai shtoi se Uashingtoni do të bëjë gjithçka që mundet për të përmbushur nevojat që turqit kanë paraqitur.
Price tha se helikopterët amerikanë po ndihmonin personelin e shpëtimit të arrinte në zonat me qasje të vështirë dhe tha se Uashingtoni po parapoziciononte pajisjet e ndihmës që shpresonte se do t’i bashkoheshin përpjekjeve të rimëkëmbjes.
Shtetet e Bashkuara po ofrojnë një ekip të ndihmës kundër katastrofave prej rreth 200 personash, duke përfshirë dy ekipe urbane të kërkimit dhe shpëtimit.
Paramedikët, reaguesit e urgjencës, teknikët e materialeve të rrezikshme dhe të tjerë kanë mbërritur tashmë, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Uashingtoni po dërgon gjithashtu shkatërrues betoni, gjeneratorë, furnizime mjekësore, tenda, ujë dhe sisteme të pastrimit të ujit.