SHBA refuzon ofertën e Polonisë për t’ia dhënë aeroplanët MiG-29 për Ukrainën

SHBA refuzon ofertën e Polonisë për t’ia dhënë aeroplanët MiG-29 për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një ofertë të Polonisë për të transferuar aeroplanët luftarakë MiG-29, të prodhuar nga Rusia, në bazën amerikane në Gjermani, si mënyrë për të forcuar forcën ajrore të Ukrainës, teksa përballet me pushtimin rus.

“Shtetet e Bashkuara kanë synim që të rrisin dërgesat e armëve në Ukrainë, mirëpo ideja e dërgimit të aeroplanëve luftarakë nga territori i NATO-s në një zonë lufte, “ngre shqetësime serioze për gjithë aleancën e NATO-s”, ka thënë Pentagoni.

NATO-ja ka thënë se nuk dëshiron konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe presidenti amerikan, Joe Biden ka hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të trupave amerikane për të luftuar në Ukrainë.

“Thjesht është e paqartë për ne nëse ka arsye racionale për këtë gjë”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, duke komentuar propozimin e Polonisë.

“Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me Poloninë dhe aleatët tjerë të NATO-s për këtë çështje, dhe sfidat logjistike që bart me vete, mirëpo nuk besojmë se propozimi i Polonisë është i pranueshëm”.

Ministria e Jashtme e Polonisë, ka bërë të ditur të martën se është e gatshme të dorëzojë aeroplanët MiG-29 në bazën ajrore Ramstein në Gjermani dhe t’i vendosë ata në dispozicion në Shteteve të Bashkuara.

Ajo u ka bërë thirrje edhe vende tjera anëtare të aleancës që të veprojnë njëjtë.

Related Articles