Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike është 100% duke u bazuar në inflacionin global.
Sipas tij, edhe pse vendi pati rritje të çmimit të energjisë në tri vitet e fundit, Kosova ende mbetet në fund të listës së vendeve me çmimin më të lirë të energjisë elektrike.
Fejzullahu thekson se rritja e çmimit është e domosdoshme për të mbuluar kostot e importit, të cilat ose duhet t’i paguajë konsumatori, ose të subvencionohen nga qeveria.
“Nëse një konsumator deri më sot ka paguar rreth 50 euro për energjinë e shpenzuar, pas rritjes së tarifave ai do të paguajë rreth 58 euro, pra minimalisht 8 euro më shumë. Ndërsa bizneset do të paguajnë tarifa të tjera”, ka thënë Fejzullahu.
Në anën tjetër, është komentuar edhe nisma qytetare “Asnjë cent më shumë”, për të cilën kreu i ZRRE-së ka thënë se e kupton shqetësimin e qytetarëve, por reflektimi në tarifa ka qenë i domosdoshëm.
“Nëse kemi protesta dhe mosbindje qytetare, do të ketë reduktime, sepse asnjë furnizues nuk mund të mbulojë këto kosto. Nuk ka alternativë tjetër përveç reflektimit në tarifa. Për ata qytetarë që nuk mund ta përballojnë faturën, duhet të aplikojnë për subvencionim tek Ministria e Financave”, ka pohuar Fejzullahu në T7.