Shefja e diplomacisë së BE-së, Kallas: Bota ka nevojë për një lider të ri

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kallas: Bota ka nevojë për një lider të ri

Diplomatja kryesore evropiane, Kaja Kallas, deklaroi se pas një përplasjeje të ashpër në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, “është e qartë se bota e lirë ka nevojë për një lider të ri”.

“Ukraina është Evropë! Ne jemi me Ukrainën. Do të rrisim mbështetjen tonë për ta mundësuar që të vazhdojnë luftën kundër agresorit”, shkroi Kallas në platformën X.

“Sot është bërë e qartë se bota e lirë ka nevojë për një lider të ri. Është përgjegjësia jonë, evropianëve, ta marrim këtë përgjegjësi”, shtoi ajo.

Dje, liderët e Bashkimit Evropian lëshuan një deklaratë të përbashkët ku ofruan mbështetje për Zelenskyn.

“Dinjiteti juaj reflekton guximin e popullit ukrainas. Qëndroni të fortë, qëndroni të guximshëm, qëndroni të patrembur. Kurrë nuk jeni vetëm, presidenti ynë i dashur Zelensky. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Ndryshe, Trump dhe Zelensky kanë pasur një takim të tensionuar në Uashington, e cila gjë ka bërë që mos të nënshkruhet marrëveshja për mineralet e rralla ukrainase, të cilat po këmbëngul që t’i marrë SHBA-ja.

Related Articles