Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit jep detaje pas gjetjes së trupit të pajetë në majën e Hajlës

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit jep detaje pas gjetjes së trupit të pajetë në majën e Hajlës

Një aksident fatal ka ndodhur më 21 shkurt 2026 në majën e Hajlës (2407 m/lmd), ku një bjeshkatar nga Mali i Zi ka humbur jetën pas rrëshqitjes në një greminë në faqen veriore të majës.

Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK).

Sipas informatave fillestare, një grup bjeshkatarësh kroatë ka dërguar një mesazh SOS, duke raportuar humbjen e kontaktit me bjeshkatarin e aksidentuar.

Kushtet atmosferike në zonë ishin shumë të vështira, gjë që e komplikoi operacionin e kërkim-shpëtimit.

Menjëherë pas pranimit të thirrjes për ndihmë, ShKShMK angazhoi një skuadër shpëtuesish malorë dhe koordinimi i operacionit u zhvillua në bashkëpunim me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi, GSS Crne Gore, si dhe me bjeshkatarët lokalë nga Rozhaja. Operacioni u nis në orët e vona të mbrëmjes, por për shkak të dukshmërisë së ulët dhe kushteve të vështira atmosferike, kërkimi u shty për orët e mëngjesit.

Më 22 shkurt 2026, gjatë kërkimeve të zgjeruara, ekipet hasën fatkeqësisht në trupin e pajetë të bjeshkatarit C.F., në zonën e njohur si “Gropë”, në shpatijet veriore të Hajlës, brenda territorit të Malit të Zi.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, trupi u transportua dhe iu dorëzua institucioneve kompetente.

ShKShMK shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimës dhe komunitetin bjeshkatar, duke theksuar se siguria në mal mbetet prioritet i vazhdueshëm dhe që kërkim-shpëtimi ndërkufitar është i domosdoshëm për raste emergjente.

Related Articles