Autoritetet malazeze kanë shkatërruar një organizatë kriminale, e cila dyshohet se ka kontrabanduar një sasi prej 1 ton droge nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe më pas drejt vendeve të BE.
Operacioni ka çuar në arrestimin e 10 personave, ndërsa raportohet se është bërë kallëzim penal për 18 persona të dyshuar për veprat penale të krijim të organizatës kriminale dhe prodhim, mbajtje dhe shpërndarje të paautorizuar të drogës.
Policia ka kryer bastisje në 14 qytete të Malit të Zi dhe u kanë hequr lirinë 10 personave, dy persona janë ende në kërkim. Katër persona janë duke vuajtur dënimin me burg në Mal të Zi dhe vendet e rajonit ndërsa dy personat janë në paraburgim nën dyshimin se kanë kryer vepra penale në vitin 2021 dhe 2022 në lidhje me shpërndarje të drogave në Mal të Zi dhe Republikën e Serbisë.
Autoritet bëjnë të ditur se sasia e kanabisit të sekuestruar arrin në 1 ton.
Autoritetet shtojnë se dyshohet se anëtarët e organizatës kriminale transportonin në mënyrë të paligjshme lëndë narkotike marihuanë nga Shqipëria nëpërmjet territorit të Malit të Zi, drejt vendeve të rajonit dhe më tej në vendet e Bashkimit Evropian.