Shkëmbi: Ballkani viktimë e aleancave, të gjithë e morëm vesh kush del kampion dhe kush në Evropë!

Shkëmbi: Ballkani viktimë e aleancave, të gjithë e morëm vesh kush del kampion dhe kush në Evropë!

Vetëm pas disa ditë largimi nga FC Ballkani, Bledi Shkëmbi është rikthyer të flas për atë se çfarë ka ndodhur, arsyet për të cilat është larguar dhe pengu më i madh që i ka mbetur.

I lidhur në një linjë direkte në emisionin “Kampionët” në Kanal 10, tekniku korçar u shpreh se Ballkani ishte viktimë e aleancave në Kosovë, të cilat ishin krijuar prej muajsh dhe të gjithë e dinin se kush do të del kampion dhe kush në Evropë.

“Të gjithë e dijmë, madje edhe ju aty në studio se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Nuk dua të justifikoj punën time, por gjërat ndodhën saktësisht ashtu siç është folur dy muaj më përpara, ekipi që del kampion dhe ekipi që del në Evropë. Në Kosovë ka aleanca të shumta dhe Ballkani është viktimë e tyre. Më vjen keq që nuk arritëm të bënim diçka më shumë në këtë drejtim, në radhë të parë për lojtarët dhe pastaj për presidentin, i cili është një njëri shumë korrekt dhe nuk e meritonte këtë”, deklaroi fillimisht Shkëmbi.

“Nuk jam tip që dua të gjej fajtorin, pasi që fajin gjithmonë e kërkoj te vetja. Jam i kënaqur me angazhimin e gjithë futbollistëve, por ndoshta mendësia ime për të luajtur më ndryshe futboll, madje edhe nga trajneri paraprak ka ndikuar te ata. Pjesa tjetër me plot bindje e them se është faktori psikologjik, i cili ishte tejet i rënduar te lojtarët dhe stafi drejtues i klubit sa i përket luftës nga jashtë, pasi që jo gjithçka varej në fushë. Lojtarët e vuanin shumë këtë pjesë, sidomos atë të arbitrimit dhe gjithmonë më dilte punë të kërkoja diçka më shumë nga ata”, shtoi Shkëmbi.

Shkëmbi zëvendësoi Munishin në janarin e këtij viti, ndërkohë që nuk arriti objektivin kryesor për të dalë kampion. Ai u largua tri javë pa përfunduar kampionati, raporton Gazeta Sheshi.

Related Articles