Shkëndija eliminohet nga Liga e Kampionëve pas humbjes në Baku

Shkëndija eliminohet nga Liga e Kampionëve pas humbjes në Baku

Skuadra e Shkëndijës së Tetovës është mundur me rezultat të thellë 5-1 nga Qarabagu në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë eliminues në Ligën e Kampionëve, duke i dhënë fund aventurës në garën më prestigjioze evropiane për këtë sezonë.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për kampionët e Maqedonisë së Veriut. Fabrice Tamba kaloi Shkëndijën në epërsi në minutën e 10-të, pas një asisti të mrekullueshëm nga Besart Ibraimi, duke mposhtur portierin vendas për 0-1.

Gëzimi i kuqezinjve zgjati shumë pak, pasi në minutën e 16-të, Qarabagu barazoi me një autogol të pafat të Klinsman Cake, pas një krosimi nga goditja e lirë. Vetëm dy minuta më vonë, vendasit përmbysën rezultatin me golin e Kadi Borges, duke kaluar në 2-1.

Presioni i ashpër i azerbajxhanasve vazhdoi dhe në minutën e 33-të, pas një tjetër asisti të Zubir, Akunzade shënoi për 3-1. Vetëm dy minuta më pas, Trumçi shkaktoi penallti dhe Jankoviç e shndërroi në gol për 4-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në fillim të pjesës së dytë, trajneri Jeton Beqiri ndërhyri me dy zëvendësime, duke futur Krasniqin dhe Alhasanin në vend të Cakës dhe Latifit, por loja e Shkëndijës nuk ndryshoi ndjeshëm. Qarabagu uli disi ritmin, por sërish dominoi fushën.

Në minutën e 59-të, Leandro Andrade shënoi golin e pestë për vendasit, duke e bërë disavantazhin e Shkëndijës edhe më të thellë. Kuqezinjtë patën vetëm një mundësi të rrezikshme në këtë pjesë, përsëri me Tamban, por portieri Koxhalski kontrolloi lehtësisht topin.

Në minutat e fundit, Qarabagu administroi rezultatin dhe pa probleme mbylli ndeshjen, duke u kualifikuar në fazën play-off të Ligës së Kampionëve.

Ndërkohë, Shkëndija do të vazhdojë garën në të njëjtën fazë, por në Ligën e Evropës, ku do të përballet me humbësin e çiftit Ludogorets – Ferencvaros.

Related Articles