ShKK dhe Agjencia për Punësim me memorandum për mbështetje ndaj të burgosurve pas lirimit

ShKK dhe Agjencia për Punësim me memorandum për mbështetje ndaj të burgosurve pas lirimit

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Punësim, Blerim Hasani, kanë nënshkruar aneksin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ky aneks vjen si vazhdim i Memorandumit të Mirëkuptimit të lidhur në vitin 2010 ndërmjet institucioneve përkatëse, dhe synon forcimin e bashkëpunimit në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të burgosur.

Aneksi i memorandumit parasheh angazhimin e këshilltarëve të punësimit në kuadër të programit për përgatitje për lirim dhe mbështetje pas lirimit, program ky i miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Përmes këtij bashkëpunimi, synohet që të burgosurve t’u ofrohet mbështetje konkrete drejt integrimit në tregun e punës.

“Këshilltarët e punësimit nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, përmes Agjencisë për Punësim, do të jenë pjesë aktive e këtij programi, duke ofruar informacione të drejtpërdrejta mbi mundësitë e punësimit, trajnimet profesionale dhe shërbimet që ofrohen pas lirimit”.

“Gjatë seancave të programit, të burgosurit do të kenë mundësinë të informohen mbi vendet e lira të punës, procedurat e aplikimit dhe mbështetjen institucionale që mund të përfitojnë pas daljes nga burgu. Ky angazhim pritet të lehtësojë tranzicionin e tyre në shoqëri dhe të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e rrezikut të rikthimit në vepra penale”, thuhet në njoftim.

Related Articles