Lidhja Demokratike e Kosovës do ta nis shkollën politike “Ibrahim Rugova”.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, përmes një video të postuar në Facebook, ka bërë të ditur se kjo shkollë mbështetet nga NDI, USAID dhe SDC.
Ai u ka bërë thirrje të rinjëve e të rejave nga mosha 18 deri në atë 25 vjeçare, të bëhen pjesë e ligjërimeve politike në këtë shkollë.
“Nëpërmjet një kurikule dy mujore, të ndarë në 10 ligjërata, këtu, në Selinë Qendrore të LDK-së, ju do të mësoni për të djathtën, për Republikën, Rugovizmin, ekonominë e tregut, shtetin, institucionet shtetërore e ato ndërkombëtare. Do të mësoni dhe për kampanjën e aktivizmin partiak, sikurse dhe për programin tonë politik ‘Rruga e Re’”, tha Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut, pjesëmarrësit do të mësojnë nga ligjëruesit më të mirë, e të cilët janë anëtarë të LDK-së.
“Ju do të merrni jo vetëm njohuritë thelbësore politike, por nëpërmjet mysafirëve të shumtë të jashtëm pjesë e këtyre ligjëratave, ju do të njiheni dhe me përvojen e tyre të pasur. Të 20 studentët e përzgjedhur do të nisin ligjërimet që nga muaji nëntor i këtij viti. Bëhuni pjesë e gjeneratës së parë të Shkollës Politike ‘Ibrahim Rugova’. Suksese në aplikim, ju mirëpresim”, tha Abdixhiku.