11 njerëz e kanë humbur jetë dhe më shumë se 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri që shpërtheu në katin e shtatë të një shtëpie pleqsh në Tuzlla mbrëmjen e së martës, njoftuan të mërkurën autoritetet në kantonin e Tuzllës në Bosnje.
Sipas të dhënave të fundit të pakonfirmuara, 30 persona janë shtruar në spital në Qendrën Klinike Universitare në Tuzlla, ndërsa numri i të lënduarve që deri më tani kanë kërkuar ndihmë mjekësore është më i lartë.
Viktimat janë banorë të shtëpisë dhe trupat e tyre do të dërgohen për identifikim dhe autopsi, sipas autoriteteve.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Kryetari i Bashkisë së Tuzllës, Zijad Llugaviq, thirri takim të jashtëzakonshëm mëngjesin e së mërkurës, në të cilin do të paraqiten të dhëna rreth shkaqeve të zjarrit, numrit të viktimave dhe gjendjes së të lënduarve.
Në një njoftim zyrtar disa orë pas zjarrit, shtëpia e pleqve konfirmoi numrin e të vdekurve dhe të lënduarve, dhe shtoi se të lënduarit po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Tuzllës.
Sipas saj, mes të lënduarve ka edhe oficerë policie, zjarrfikës, punonjës mjekësorë dhe punonjës të shtëpisë së pleqve në Tuzlla.
“Me ndërhyrje të shpejtë, zjarri u vu nën kontroll dhe u shua nga anëtarët e Departamentit Profesional të Zjarrfikësve të Tuzllës, me mbështetjen e Departamentit Profesional të Zjarrfikësve të Srebrenikut, departamenteve vullnetare të zjarrfikësve të Tuzllës së Epërme dhe Tuzllës, dhe Drejtorisë së Policisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Tuzllës”, deklaroi shtëpia.
Ministria e Brendshme e Bosnjës njoftoi të martën mbrëma se një hetim në vendngjarje do të kryhet kur të krijohen kushtet e duhura.
Një numër i madh zjarrfikësish morën pjesë në shuarjen e zjarrit, ndërsa në vendngjarje shkuan edhe policia dhe shërbimet e emergjencës.
Kryeministri i kantonit të Tuzllës, Irfan Halilagiq, i tha shërbimit publik të Bosnjës se po kërkohet një zgjidhje për strehim të përkohshëm për banorët e shtëpisë.
Kryeministri i Federatës së Bosnjës, Nermin Nikshiq, njoftoi për televizionin boshnjak se Qeveria do të marrë pjesë në rindërtimin e shtëpisë dhe kujdesin për banorët e saj.
“Në periudhën e ardhshme, ne do të formojmë një ekip të Qeverisë së Bosnjës që do t’i vizitojë institucionet nën juridiksionin e Bosnjes dhe do t’u kërkojë autoriteteve të kantoneve të bëjnë të njëjtën gjë për institucionet nën juridiksionin e tyre, kur të ndodhë diçka e tillë, në mënyrë që të mos japin informacione të përgjithshme. Sonte dëgjuam shumë informacione nga banorët. Sidoqoftë, duhet të presim për të parë se çfarë e shkaktoi saktësisht tragjedinë”, tha Nikshiq.
