Kompania e re e inteligjencës artificiale, “Thinking Machines Lab”, e themeluar nga shqiptarja Mira Murati, ish-punonjëse ekzekutive në kompaninë “OpenAI”, tha të martën se kishte grumbulluar rreth 2 miliardë dollarë, duke e arritur vlerën e 12 miliardë dollarëve, gjatë një rundi të financimit të udhëhequr nga firma e kapitalit “Anddreessen Horowitz”.
Në organizimin për mbledhjen e fondeve morën pjesën edhe gjiganti i çipave të inteligjencës artificiale “Nvidia”, pastaj “Accel”, “ServiceNow”, “Cisco”, AMD dhe “Jane Street”, tha kompania e Muratit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rundi masiv i financimit për një kompani që është hapur në shkurt të këtij viti, ende pa produkte apo të ardhura, e nënvizon aftësitë e Muratit për të tërhequr investitorë në një sektorë ku zyrtarë ekzekutivë janë bërë caqe të lakmuara në një luftë për talente që po përshkallëzohet, thekson agjencia e njohur e lajmeve.
“Jemi të emocionuar që në disa muajt e ardhshëm ne do të jemi në gjendje që ta ndajmë produktin tonë të parë, i cili do të përfshijë një përbërës domethënës të burimit të hapur dhe të jetë i dobishëm për hulumtuesit dhe kompanitë e reja që zhvillojnë modele të personalizuara” – shkroi Mira Murati në rrjetin X.
Kompania “Thinking Machines” ka thënë se dëshiron të ndërtojë sisteme të inteligjencës artificiale që janë më të sigurta, më të besueshme dhe që e kanë për qëllim një numër më të lartë të përdorimeve sesa rivalët. Gati dy të tretat e ekipit të kësaj kompanie në themelimin e saj përbëheshin nga ish-punonjës të “OpenAI”-së.