Trembëdhjetë persona, përfshirë një zjarrfikës, janë vrarë dhe të paktën 15 të tjerë ndodhen në gjendje kritike si pasojë e një zjarri të fuqishëm që po përfshin një kompleks banimi në lagjen Tai Po të Hong Kongut. Flakët kanë përfshirë edhe skelat prej bambuje nëpër shtatë blloqe, duke lënë shumë banorë të bllokuar brenda.
Re të mëdha tymi të errët u ngritën lart në qiell në vendngjarje, në Wang Fuk Court, të mërkurën, ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në shtatë nga tetë blloqet e kompleksit, shkruan South China Morning Post.
Policia tha se kishte marrë raportime për njerëz të bllokuar në ndërtesën ku nisi zjarri, përfshirë një burrë dhe një grua që raportohej se ishin të pavetëdijshëm dhe me djegie.
Wang Fuk Court, që ndodhet në lagjen Tai Po, është një nga 18 distriktet e Hong Kongut. Ky kompleks banimi përbëhet nga tetë ndërtesa dhe pothuajse 2,000 njësi banimi, dhe bën pjesë në programin qeveritar për strehim të subvencionuar.
Sipas faqes së internetit të pronës, kompleksi është i banuar që nga viti 1983.
