Televizioni shtetëror i Algjerisë raportoi të mërkurën se numri i viktimave të zjarreve ka shkuar në së paku 65.
Zjarret në shtetin e Afrikës Veriore po vazhdojnë për të dytën ditë me radhë, shkruan Reuters.
Dhjetëra zjarre shpërthyen të hënën në rajonin Kabyle dhe në pjesë të tjera të vendit. Autoritetet algjeriane e angazhuan ushtrinë për t’i ndihmuar qytetarët rreth evakuimit dhe luftës me flakët.
Rajoni Kabyle, rreth 100 kilometra në lindje të kryeqytetit Algjer, ka shumë fshatra ku qasja është e vështirë dhe burime të kufizuara të ujit.
Disa fshatarë po evakuohen, ndërsa të tjerët po mundohen të luftojnë kundër zjarreve vetë, duke përdorur kova, degë të drunjve dhe mjete të tjera të kufizuara. Rajoni nuk ka aeroplanë për hedhjen e ujit.