Shkurte Fejza, këngëtarja e këngës “Mora Fjalë” që dëgjohet nga çdo brez shqiptar, ka reaguar pasi nga Federata e Futbollit të Shqipërisë është ndaluar që kjo këngë të interpretohet në stadium gjatë ndeshjeve të Shqipërisë.
Në një intervistë, Fejza tha se kjo është “e pakuptimtë”.
“Unë jam ndier shumë e nderuar që më kanë ftuar të këndoj në stadium dhe ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm. Por kënga që është e ndaluar ose e mohuar, për mua është diçka e pakuptimtë. Më dhemb sepse kjo këngë është për një figurë të shenjtë që ka Kosova dhe konsiderohet një figurë e shenjtë dhe për Shqipërinë. Kjo këngë mori përmasa nga stadiumi”, tha artistja.
Lidhur me këtë foli edhe ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i cili tha se “asgjë nuk do t’i ndalojë tifozët që ta këndojnë”.
“E lexova pak në rrjete. Nuk është se kam pasur një vëmendje të madhe, por është një fat që e kemi një Shkurte Fejzaj që për ne në Kosovë është një figurë e veçantë. Sa i përket pjesës së këngës, të them të drejtën nuk jam shumë brenda ngjarjes, por një gjë është e sigurt, mos t’i japim aspekt negativ. Kënga do këndohet nëpër shkolla, nëpër stadiume. Dhe kur këndojnë tifozët, askush nuk mund t’i ndalë. Nuk e shoh që të mbahet si polemikë. Sa i përket këngës “Mora fjalë”, është këngë e popullit tonë, e sakrificave dhe kur këndohet në stadium, nuk ka asgjë që e ndalon, me muzikë apo pa muzikë në sfond”, tha Cana.