Mosmarrëveshjet mes shoferëve në komunikacion janë shumë të shpeshta në vendin tonë. Jo rrallëherë përplasjet verbale kanë përfunduar tragjikisht për motive banale. Pavarësisht kësaj, konfliktet e tilla po vazhdojnë dhe po eskalojnë në kërcënime e sulme.
Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Sfarqak i Ulët në Vushtrri, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë më dije se një 28-vjeçar ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se një person i panjohur për të e ka kërcënuar në mes të rrugës.
Bazuar në dëshminë e tij, i dyshuari ia ka zënë rrugën me veturë dhe më pas i është afruar ku e ka kërcënuar me jetë duke ia drejtuar armën në kokë.
Sipas tij, i dyshuari ka dëmtuar edhe një kamerë të cilën viktima e kishte të vendosur në veturën e tij dhe më pas është larguar. E gjithë kjo dyshohet të ketë ndodhur për shkak se i riu e kishte tejkaluar të dyshuarin me veturë.
Në kuadër të veprimeve hetimore, është arritur që të identifikohet vetura e të dyshuarit, mirëpo ai nuk është kapur ende.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit në stacion policor.