Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Atdhe Arifi, i cili bashkë me Astrit Deharin dhe të tjerët ishte akuzuar për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, para gjykatës ka folur për gjykimin ndaj tij dhe për shokun e tij Astrit Deharin.
Në fjalën e mbrojtjes para trupit gjykues, të cilën e ka siguruar Portali Dukagjini, Arifi, ka thënë se shkaqet juridike që i përmban aktakuza nuk qëndrojnë.
Arrestimin e tij dhe të shokëve të tij, Arifi e ka quajtur skandaloz dhe se sipas tij është bërë “vetëm pse e kanë kundërshtuar ose e kundërshtojnë servilitetin, nepotizmin e korrupsionin”.
Sipas Arifit, ata po akuzohen vetëm për shkak se kishin qenë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Derisa prokuroria nuk ka arritur të individualizojë veprimin e secilit nga ne, kjo nënkupton se ne jemi duke u gjykuar nën të vetmin kusht dhe cilësi – sepse jemi ose kemi qenë dikur aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Prandaj nuk kemi individualizim të veprimit por kemi identifikim kolektiv. Kjo sepse në rend të parë preja e gjahut nuk jemi vetëm ne, por është një organizatë e tërë politike”, ka thënë Arifi.
Tutje, Arifi ka folur edhe për rastin eAstrit Deharit, për të cilin tha se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk e zbardhë atë, ajo do të rrëzohet apo rrënohet, njësoj ashtu sikurse që u ngrit.
“Populli shqiptar, në veçanti ai i Kosovës, Astritin e njeh si njeriun i cili për së vdekuri e rriti dhe ia fitoi zgjedhjet VETËVENDOSJES!, por mos harroni për aq sa e njoh unë si Atdhe politikën, nëse Lëvizja e tij, aktivist i së cilës ishte deri sa u mbyt dhunshëm, nuk ia zbardh rastin ai për së vdekuri do ta rrëzoj apo rrënoj këtë Lëvizje, ashtu siç e ngriti”, ka thënë ai.
“Më falni për emocionet, por nuk jam prej atyre që i vajtoj shokët vetëm para zgjedhjeve ose kur ta kanë përvjetorin. Unë nuk jam aq i pasur as nuk kam me qindra hektarë tokë, por deri në vdekje më dhimbset çdo m2 e territorit të shtetit e kombit tim. Prandaj Kosova e shqiptaria nuk do ta harroj kurrë Astrit Deharin”, vijon fjala e tij.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.