Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim nis operacioni për gjetjen e të moshuarit të zhdukur në Gorozhup të Hasit

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim nis operacioni për gjetjen e të moshuarit të zhdukur në Gorozhup të Hasit

Këtë të martë është duke u zhvilluar një operacion kërkim-shpëtimi në fshatin Gorozhup të Hasit, pas raportimit se një person i moshuar është zhdukur, raporton Gazeta “Enigma”.

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, me kërkesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), ka angazhuar ekipet e saj për të ndihmuar në gjetjen e një personi të zhdukur në këtë zonë.

Personi që po kërkohet është N.T., i lindur më 14 mars 1940, me vendbanim në Gorozhup, Hasi.

Shoqata përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook ka bërë të ditur se ekipet janë tashmë në terren dhe po punojnë në koordinim me autoritetet e sigurisë për të lokalizuar sa më shpejt personin e zhdukur.

“Ekipet tona janë në terren dhe veprojnë në bashkëpunim të ngushtë me organet e sigurisë në atë zonë, me qëllim të lokalizimit sa më të shpejtë dhe të sigurt të personit të zhdukur,” thuhet në njoftim.

Po ashtu, qytetarët janë ftuar që të ofrojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në këtë operacion.

“Çdo informacion i vlefshëm që mund të ndihmojë në këtë operacion, lusim qytetarët ta raportojnë menjëherë pranë autoriteteve kompetente. Faleminderit për mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftimin e tyre. /Gazeta Enigma/

Related Articles