Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kryetarin e shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastratin, për ndërtimin e pesë shtëpive të reja për skamnorët në Podujevë, shkruan Gazeta Enigma.
“Po i ndërtojmë edhe 5 shtëpi për familjet me kushte të rënda ekonomike. Sot me hoxhën e nderuar, Halil Kastrati kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimin për ndërtimin e 5 shtëpive për familjet skamnore në Podujevë”, ka shkruar Bulliqi në një postim në Facebook.
Komisioni i përbashkët i Komunës dhe Shoqatës ka bërë përzgjedhjen e familjeve skamnore, ndërsa sot iu është kumtuar lajmin familjeve për ndërtimin e shtëpive.
Njëra nga familjet është nga komuniteti ashkali.
Në këtë marrëveshje të bashkëpunimit, Komuna e Podujevës participon me nga 10 mijë euro, kurse shoqata “Jetimat e Ballkanit” me nga 20 mijë euro.
“Krahas vizitave tek familjet përfituese e vizituam edhe Qendrën Rezidenciale e cila po ndërtohet me cilësi të lartë dhe sipas planit dinamik. Familjet përfituese i gëzofshin shtëpitë e reja, kurse falënderim i madh shkon për Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” dhe të gjithë donatorët që kanë kontribuar!”, përfundoi Bulliqi. /Gazeta Enigma