Shoqëria civile e quan të papranueshëm zgjedhjen e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit

Shoqëria civile e quan të papranueshëm zgjedhjen e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit

Pas zgjedhjes së Blerim Isufajt nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, si Kryeprokuror i ri, kanë reaguar njëzëri nga shoqëria civile, raporton Gazeta “Enigma”.

Organizatat joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, e quajnë të papranueshëm propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPKK), për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se koalicioni i OJQ-ve, kishin tërhequr vërejtjen që Paneli Vlervsues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar, duke cenuar kështu meritokracinë e procesit.

“Në këtë Raport, IKD, GLPS dhe FOL (tutje: Koalicioni) tërhiqnin vërejtjen që Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë qartazi të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit. Ta zëmë, z. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht. Njëherit, kandidatët ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Komisioni dhe, krahas kësaj, defektet e caktuara procedurale kishin dështuar të siguronin një vlerësim të mirëfilltë dhe adekuat të kandidatëve”, thuhet në njoftim.

Tutje ata thonë se “KPK ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”.

Në fund, IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, i kanë bërë thirrje presidentes që gjatë vlerësimit të saj për emërim, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces. / Gazeta Enigma.

Related Articles