Pesë të rinj kanë vdekur nga një zjarr që shpërtheu në një hapësirë për ruajtjen e gjësendeve në një bllok banesor në verilindje të Spanjës.
Banorët e dhanë alarmin për zjarrin në një ndërtesë 5-katëshe në qytezën Manlleu, rreth 80 kilometra në veri të Barcelonës, pak pas orës 21:00 të hënën, thanë zjarrfikësit e Katalonjës. Katër persona të tjerë pësuan lëndime të lehta nga zjarri, raporton BBC.
Identiteti i atyre që e humbën jetën nuk dihet ende, por në raportime thuhet se në mesin e viktimave kishte fëmijë dhe se asnjëri prej tyre nuk jetonte në ndërtesën ku ndodhi tragjedia.
Nuk është e qartë pse këta persona nuk arritën të iknin nga dhoma ku shpërtheu zjarri, e cila ndodhej në një kat të sipërm, sipas zjarrfikësve. Autoritetet kanë nisur një hetim për ta zbuluar shkaktarin e zjarrit.
Gjyshi i njërës prej viktimave i tha mediumit “La Vanguardia” se djemtë e përdornin atë hapësirë për t’u takuar me njëri-tjetrin. Mendohet se dhoma ishte shndërruar në hapësirë banimi.
Asnjë hollësi zyrtare nuk është konfirmuar në lidhje me viktimat, por dëshmitarët u thanë mediave lokale se të gjithë ishin mes moshave 14 e 18-vjeçare.
Autoritetet lokale thanë se po u ofronin mbështetje viktimave dhe shpallën tri ditë zie.
Presidenti i Katalonjës, Salvador Illa Roca, tha se është i tmerruar nga vdekja e të rinjve dhe ua shprehu ngushëllimet më të thella familjeve dhe shokëve të viktimave.
