Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën në gjykimin për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” më 2007, ku kishin mbetur të vdekur dy persona, prokurori Armend Hamiti në fjalën përfundimtare kërkoi dënimin e gjashtë të akuzuarve në këtë rast, duke kërkuar nga Gjykata që për bazë të marrë provat dhe dëshmitë rrethanore. Në anën tjetër, mbrojtja kërkoi aktgjykim lirues në mungesë provash.
Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M., dhe P.S., dhe ishin lënduar disa persona të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të akuzuarit Hasani dhe Qerimi janë gjykuar dhe dënuar në një proces tjetër gjyqësor.
Prokurori Hamiti, duke elaboruar fjalën përfundimtare që e dorëzoi me shkrim, tha se ky rast është më specifik se rastet tjera, pasi për shkak të ndryshimeve ligjore provat e bashkë të akuzuarve nuk mund të përdoren dhe provimi i veprave penale që iu vihet në barrë të akuzuarve është duke u bazuar në prova rrethanore.
Tutje, ai tha se ky rast ka qenë hakmarrje e pastër për shkak të vrasjes së policit Triumf Riza, për çka një person është dënuar dhe të tjerët janë në proces gjykimi. Tha se të gjithë dëshmitarët përshkruajnë një ngjarje identike.
“Një grup individësh, të armatosur dhe të maskuar, duke vepruar me plan dhe qëllim, hynë dhe vepruar përpara shpërthimit, përshkrimet e tyre janë të njëtrajtshme, të detajuara, të qëndrueshme pa kundërshtime. Prandaj, nuk mbetet asnjë dyshim i arsyeshëm se shpërthimi ishte i qëllimshëm dhe i përgatitur. Ngjarja nuk ishte aksidentale, përgjegjësia e të akuzuarve është e pamohueshme dhe e drejtpërdrejtë”, ka thënë Hamiti.
Prokurori përsëriti se nuk ka dëshmi direkte që lidhin të akuzuarit me kryerjen e krimeve, megjithatë sipas tij, duke pasur parasysh se si ka ndodhur ngjarja, pasojat e shkaktuara, dëshmitë rrethanore përbëjnë prova të vlefshme dhe kanë të njëjtën vlerë juridike si dëshmi direkte.
“Në praktikën gjyqësore dhe penale e dimë se është e njohur dhe e pranuar se vendimmarrja nuk zbatohet domosdoshmërisht vetëm në dëshmi direkte”, ka thënë prokurori Hamiti, duke shtuar se kjo qasje është në përputhje edhe me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuari Bejtullah Mehmeti, avokati Ramë Gashi pasi dorëzoi fjalën përfundimtare të dorëzuar me shkrim, u shpreh se e kundërshton në tërësi secilën fjalë të prokurorit.
Sipas tij, nuk është tërësisht e paqëndrueshme se në praktikën ndërkombëtare po edhe në atë vendore të gjendet dikush fajtor me prova rrethanore.
“Edhe pse në këtë rast, ndaj të mbrojturit tim por edhe të akuzuarve tjerë, nuk është rast ku ka as prova rrethanore e le më diçka me shumë. Asnjë nga dëshmitarët, asnjë nga pala e dëmtuar të cilëve kemi pasur shanse t’iu bëjmë pyetje, kurrë njëherë një element të veprës penale për të cilat akuzohet i mbrojturi im nuk e kanë thënë”, u shpreh ai.
Avokati Gashi, u shpreh se ky proces ka filluar në mënyrë të kundërligjshme dhe do merret si shembull i keq për shkelje të ligjit dhe shkelje të të drejtave të personave të akuzuar, duke filluar nga hetimet, ngritja e aktakuzës e deri më sot.
“Prokuroria e atëhershme ka shkuar aq larg, sa që ka ngritur pas gjashtë vitesh aktakuzë edhe pse hetimet për këta njerëz kishin qenë të hapur edhe nuk ishte pezulluar asnjëherë, diçka krejtësisht e kundërligjshme. Prokuroria e ndërton një aktakuzë, ku fare nuk përshkruan veprimet inkriminuese për të mbrojturin tim, po besoj edhe të akuzuarit tjerë”, shtoi ndër të tjera ai.
Ai tha se është një dosje e tërë ku Prokuroria refuzon të zbulojë provat që ishin në favor të mbrojtjes. Ai kërkoi nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim me hudhje të akuzës apo aktgjykim lirues në mungesë të provave.
Fjalën përfundimtare të avokatit, e mbështeti edhe i akuzuari Bejtullah Mehmeti.
Mbrojtësi i të akuzuarit Luan Qerkini, avokati Haxhi Millaku u shpreh se ky rast prokurorit të çështjes i ka mbetur në dorë dhe duhet ta përfundojë disi, për të mbuluar të palarat e EULEX-it, UNMIK-ut apo institucioneve ndërkombëtare.
“E kemi thanë gjatë gjithë procedurës, fshehja, mosnxjerrja e provave të favorshme, shkelje të dispozitave etj, me të vetmin qëllim që këta trupi gjykues t’i shpallë fajtorë”, u shpreh në fjalën përfundimtare avokati Millaku.
Sipas tij, nga viti 2007 bredhet nëpër të gjitha instancat dhe Prokuroria të thirret në prova rrethanore apo mbi bazën e indicieve vetëm që të ketë një proces.
“Pres nga ky panel i nderuar aktgjykim lirues. Për 19 vite duke u sorollatë për të lypë drejtësi, unë besoj që do gjeni forcë, kam besim të plotë në drejtësinë dhe aftësitë tuaja përvlerësimin profesional”, shtoi Millaku.
Fjalën përfundimtare të avokatit e mbështeti edhe i akuzuari Luan Qerkini.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Suma avokati Shemsedin Piraj, tha se në këtë rast hetimet janë kryer pas 6 vitesh, pra jashtë afatit ligjor.
“Kurrë nuk kam pa që aktakuza është ngritë pas skadimit të afatit të përfundimit të hetimit, ky është rasti i parë”, u shpreh ai.
Ai u shpreh se është esenciale të theksohet se nëse në automjetet që i kanë drejtuar Bekim Suma dhe Fadil Sadiku janë gjetur grimca të bombës së eksplodimit, atëherë s’ka çfarë të diskutohet.
“Mirëpo, dy institute me renome në Evropë, në Kroaci- Zagreb dhe Gjermani kanë vërtetuar se këto kanë rezultuar negativ. Do të thotë që nuk ka pasur mjete shpërthyese në automjetet të cilat i kanë drejtuar, pronë e NJRS- Ferizaj”, tha ai.
Ai tha se askush nuk e mohon që ka pasur mjete eksplozive, por, ai ishin të akuzuarit që e futën mjetin eksploziv, kur në veturë nuk janë gjetur grimca, sipas ekspertizës.
Avokati Piraj tha se ka besim në trupin gjykues se do marrin një veprim të drejtë. Me fjalën përfundimtare të mbrojtësit, u pajtua edhe i akuzuari Bekim Suma.
Gjithashtu, në elaborim të fjalës përfundimtare, mbrojtësi i Fadil Sadikut, avokati Skender Musa tha se sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, nuk parashihet bazimi në prova të tërthorta, pasi sipas tij ato duhet të jenë të drejtpërdrejta.
“Në këtë rast, as tash Prokuroria e Krimeve të Rënda, as Prokuroria Speciale e EULEX-it nuk ka arritur të paraqes një provë individuale për ndonjërin nga të akuzuarit. I mbrojturi im, nuk ka pasur asnjë lloj kontakti as me të akuzuarit, as të dënuarit dhe nuk e ka përmendur asnjë dëshmitar”, ka thënë ai, duke kërkuar që të merret aktgjykim lirues.
Me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, u pajtua edhe i akuzuari Fadil Sadiku.
Avokati Ekrem Piraj, mbrojtës i të akuzuarit Arbresh Dalipi, në fjalën përfundimtare tha se kjo aktakuzë ka ardhur nga deklaratat e bashkë të akuzuarit- tashmë të dënuarit Shpend Qerimi dhe Besnik Hasanit.
“Provat rrethanore, meqenëse nuk kemi prova direkte nuk mund të llogariten si prova. Në fjalën përfundimtare të Prokurorisë përmendët disa dëshmitarë me anonimitet të cilët edhe nuk janë dëgjuar në shqyrtimin kryesor edhe të cilët ato prova në asnjërën prej tyre nuk përfshihet i mbrojturi im”, ka thënë avokati.
Ai shtoi se kërkon nga gjykata që me një përkujdesje maksimale t’i vlerësojë të gjitha shkresat e lëndës dhe të bie aktgjykim refuzues apo edhe lirues në mungesë të provave.
Lidhur me dëshmitarët anonim, kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi i tha avokatit se Prokuroria ka zbuluar të gjithë dëshmitarët anonim dhe i ka lexuar dëshmitë e tyre.
I akuzuari Arbresh Dalipi, në fjalën përfundimtare tha se për të është shqetësuese se përkundër që hudhen poshtë sipas legjislacionit dëshmitë e dy të dënuarve për këtë rast, Prokuroria mban narracionin e tyre. Sipas tij, aktakuza para se të ngritej ishte publikuar në media dhe dëshmitarët e kishin lexuar.
“Ju jeni dëshmitarë të gjallë, se gjatë marrjes në pyetje të njërit prej dëshmitarëve përmendke edhe llojet e armëve me emra, kur e pyetet prokurori ose ju, tha se e kemi lexuar në media. Vetë dalja e rrëfimit në media të cilët e kanë lexuar dhe është munduar me i manipuluar prokurorja tashmë e diskredituar dhe e korruptuar, për mua nuk qëndrojnë”, ka thënë i akuzuari.
Mbrojtësi i të akuzuarit Mehmet Mehmeti, avokati Ymer Huruglica tha se i mbrojturi i tij ka dëshmuar se në natën kritike ka qenë Mehmeti duke punuar në Gjilan, për çka kanë propozuar që të sigurohen edhe dëshmitë pasi aty përpilohet një raport. Por, që sipas tij, prokurorja ka manipuluar me prova kur nuk i ka marrë raportet mes datës 23 dhe 24.
“Nga provat materiale i akuzuari Mehmet ka pasur tre telefonata gjatë asaj kohe….Në anën tjetër, në arsyetim të Prokurorisë, thuhet kinse Mehmeti dhe Arbreshi kanë fjetur në shtëpinë e Nysret Cenës, ku është logjika që ai ka punuar gjithë natën”, tha ndër të tjera ai.
Avokati shtoi se kjo gjykatë beson se do marrë gjykim lirues pasi nuk ka asnjë provë përtej dyshimit. Fjalën përfundimtare e mbështeti edhe i akuzuari Mehmeti.
Gjithashtu, aktgjykim lirues kërkoi edhe avokati Ramë Dreshaj, mbrojtësi i të akuzuarit Afet Dalloshi, për çka tha se i mbrojturi i tij e ka ndihmuar tani të ndjerin Nysret Cena, i cili pasi është liruar nga kjo vepër penale, është akuzuar pastaj Dalloshi në mënyrë që të bëhet dëshmitar për një vrasje të trefishtë.
“E kanë shantazhuar, i kanë shku taskfroca e EULEX-it, prokurorët vendorë, me i bë presion se nëse bëhesh dëshmitar se vrasës i trefishtë është Nysret Cena, atëherë të hjekim prej dyshimeve prej kësaj lënde”, ka thënë ai.
Lidhur me dëshmitë e të dënuarve, avokati tha se është trup për gjykatë e prokurori të Kosovës, që merren me dy persona që i kanë privuar nga jeta në mënyrë të paskrupullt, njerëz të pafajshëm.
Me fjalën përfundimtare të avokatit u pajtua edhe i akuzuari Dalloshi.
Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 29 korrik të vitit 2016, shtatë të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.
Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim në prill të vitit 2017, nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së Prokurorisë, se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte i drejtë. Gjetjet e gjykatës së shkallës së parë se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, sipas Apelit kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 22 gusht 2014, saktësisht nga prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ngarkon Bejtullah Mehmetin, Luan Qerkinin, Bekim Sumën, Fadil Sadikun, Afet Dalloshin, Arbresh Dalipin dhe Mehmet Mehmetin.
Në pikën e parë, të akuzuarit ngarkohen se më 24 shtator 2007, Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin (të dy këta të dënuar tashmë për të njëjtën vepër penale) dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive të tjera të ulëta, dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, privuan nga jeta N.M., dhe P.S,.
Sipas aktakuzës, kjo ndodhi duke vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës të improvizuar në katin përdhesë në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.
Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në shkelje të neneve 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal të Kosovës.
Aty thuhet se pas një historie të gjatë dhune ndërmjet policisë në Ferizaj, policëve të Njësisë ROSU dhe Enver Sekiraqës, dhe pas vrasjes së policit Triumf Riza, vrasje e cila në aktakuzë thuhet se “besohet të jetë urdhëruar nga Enver Sekiraqa”, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU planifikuan hakmarrje kundër Sekiraqës, duke hedhur në erë me bombë lokalin e tij në Prishtinë. Lokali thuhet se ndodhej në një zonë të populluar banesore, që ishte plotë me bare e restorante. Kurse, bomba thuhet se u vendos në muajin e Ramazanit më 24 shtator 2007, kur lokalet ishin të hapura për njerëzit që bënin syfyrin. Madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, thuhet se do të thoshte se të pandehurit kishin për qëllim të vrisnin.
Në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe gjithashtu në bashkëkryeje me tani të dënuarit për të njëjtën vepër penale, Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive tjera të ulëta dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, ndërmorën veprim të menjëhershëm për të privuar nga jeta Xh.S., V.Z., L.N., G.S., E.N., N.H., F.B., L.K., Sh.S., M.K dhe T.K., duke vendosur dhe shpërthyer mjetin plaës në lokalin “Sekiraqa”, duke u shkaktuar lëndime të rënda personave të lartpërmendur.
Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” në shkelje të neneve 20, 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, do të thoshte se të dyshuarit kishin për qëllim të vrisnin dhe kjo ndodhi pasi u vranë dy persona, si dhe tentuan të vrisnin 11 të tjerët.
Pika e tretë e aktakuzës, ngarkon të akuzuarit Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti se në bashkëkryerje me tani të dënuarit për këtë vepër Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, shkaktuan rrezik të përgjithshëm të jetës njerëzore, duke shpërthyer një mjet plasës të improvizuar, të vendosur në katin përdhesë të një ndërtese në bulevardin “Bill Klinton” në Prishtinë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave, u shkaktoi lëndime të rënda trupore 11 të tjerëve, si dhe shkaktoi dëme të mëdha pasurore në pronën dhe pasurinë e disa aktivitetve tregtare në Prishtinë.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” me shkelje të neneve 23 dhe 291, par.1 dhe 5 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU, ekzekutuan një plan dhe u takuan në Fermën e Deleve në Racaj një ditë para ditës kritike (23 shtator 2007), nga aty thuhet se dy persona u dëguan për të marrë mjetin plasës, minë kundër-tank dhe dy armë.
Aktakuza thotë se plani ishte të hidhet në erë lokali “Sekiraqa”. Pasi ishin kthyer, thuhet se i akuzuari Dalipi dhe dy të akuzuarit Mehmeti ishin udhëzuar çfarë të bënin, kurse Dalloshi thuhet se i la policët të ekzekutonin planin e tyre dhe i kishin pritur në një lokal në Kaçanik. Të dy veturat e Policisë, thuhet se ishin siguruar nga të akuzuarit Suma dhe Sadiku, e targat ia fshehu i akuzuari Bejtullah.
Në aktakuzë thuhet se pas kësaj, anëtarët e grupit nisen me vetura për Prishtinë për ta ekzekutuar planin. Bomba ishte vendosur në lokal rreth orës 2:10 mëngjesin e 24 shtatorit 2007, ku si pasojë u vranë dy persona dhe u lënduan 11 të tjerë.
Historia procedurale:
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit ishin hetuar në vitin 2007 pasi dyshoheshin se ishin përfshirë në shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”. Nga deklaratat e dëshmitarëve në vendngjarje më 2007, thuhet se ishte e qartë se në rast ishin përfshirë tetë policë në dy automjete të Policisë.
Në përfundim të hetimeve, u ngrit aktakuzë ndaj Besnik Hasanit, Shpend Qerimit dhe N.C., për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë. Kurse, Luan Qerkini, Bejtullah Mehmeti, Fadil Sadiku e Bekim Suma, nuk u akuzuan ngase nuk kishte prova të mjaftueshme.
Aktakuza e parë u ngrit më 12 gusht 2008, aktgjykimi u shpall më 22 shtator 2009, ku Hasani dhe Qerimi u dënuan me 25 vjet burgim, kurse N.C., u lirua nga akuzat. Vendimi u bë i prerë më 25 maj 2012.
Hetimi dhe aktakuza thuhet se ka nisur nga dëshmitë dhe provat e reja që kanë dalë në dritë nga vendimi lidhur me aktakuzën e parë.
