“Shqetësuese ikja e të rinjve nga vendi, Qeveria nuk e mbështeti sektorin privat më 2022”

“Shqetësuese ikja e të rinjve nga vendi, Qeveria nuk e mbështeti sektorin privat më 2022”

Shqetësuese për Odën Ekonomike të Kosovës mbetet numri i madh i të rinjve që po e braktisin vendin dhe mungesa e fuqisë punëtore për bizneset.

Përveç kësaj, drejtues e Odws vlerësojnë se sektori privat në vitin 2022 u sfidua me ngecjen e realizimit të investimeve kapitale nga qeveria.

Kryetari i OEK, Lulëzim Rafuna ka kritikuar ekzekutivin e vendit se vetëm sektori privat nuk mori mbështetje nga Pako për përballje me inflacionin. Teksa thotë se mbështetje morën gati të gjitha kategoritë e shoqërisë në vend, por jo edhe punëtorët e sektorit privat.

Ndonëse, Rafuna shpreson se viti 2023, do të jetë një vit më i mirë për bizneset dhe ekonominë e saj.

Rafuna në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se nuk është vetëm çështja e pagave të ulëta, e cila po ndikon në ikjen e të rinjve nga vendi.

Përkundër që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka dal ende me raport për numrin e qytetarëve që kanë lëshuar vendin gjatë vitit 2022, Rafuna thotë se numri është tejet i lartë dhe përmendi se arsye e migrimit janë mungesa e sigurisë në shëndetësi dhe arsimi joadekuat, krahas kërkesave të tregut të punës. Gjatë vitit 2021, numri i qytetarëve që patën braktisur vendin, ka qenë rreth 43 mijë.

“Ikja e të rinjve është shqetësuese për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar të pakualifikuar. Ka punëtorë të kualifikuar dhe të pakualifikuar që po ikin prej vendit tonë për një jetë më të mirë. Sfida tjetër është se, edhe pse po importohet fuqia punëtore, prej Bangladeshit, Nepalit dhe vendeve të tjera, nuk e kanë për qëllim që ata punëtorë me qëndruar në Kosovë. Ata dëshirojnë ta shfrytëzojnë Kosovën vetëm për transit, dhe kjo për kompanitë paraqet probleme. Për këtë institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë, duke hartuar strategjinë se si ta ndalin lëvizjen e të rinjve për të migruar. Nuk është vetëm çështja e pagës, e cila ndikon në ikjen e të rinjve. Të gjitha analizat tregojnë që nuk është elementi i vetëm paga që po largohen të rinjtë. Ikja e të rinjve më shumë ndërlidhet me shkollimin, pasi që arsimin nuk e kemi në koherencë me kërkesat e tregut. Po ashtu, si faktor tjetër është edhe shëndetësia, nuk ka siguri dhe besueshmëri në shëndetësi. Është një brengë e madhe e kompanive, çdo ditë ankohen se nuk kanë mundësi me gjetur fuqi punëtore”, thekson ai.

Rafuna ka theksuar po ashtu se investimet e publike në vend shënuan rënie gjatë vitit 2022 dhe Qeveria nuk mbështeti sektorin privat kur inflacioni arriti normën dy shifrore.

“Ky vit në kuptim të konsumit, ka pasur një rënie të investimeve kapitale nga ana e parasë publike. Shuma e këtyre investimeve ka qenë shumë e vogël, nuk është dashur me ndodhur që me pasur kaq pak shpenzime kapitale. Ishte dashur që të gjitha ato projekte kapitale të implementohen. Pako ka pasur për qytetarë, për pensionistë, për studentë, po ashtu edhe për zyrtarët publikë, mirëpo nuk ka pasur pako stimuluese ose subvencionime për bizneset, kështu që shpresojmë që vitit 2023, të jetë një vit më i mirë, më i mbarë. Jam i lumtur që indikacionet e para japin shpresë që do të jetë një vit më i mirë se 2022. Presim të ketë ulje të çmimeve të derivateve të naftës, për arsye se nafta është e ndërlidhur me procesin e prodhimit dhe të tjera”, thotë ai.

Rafuna ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2023, nuk do të jetë më e lartë se 4 për qind./KSP

Related Articles