Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në rajonin e Prishtinës, katër prej tyre gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, tri raste janë raportuar në Fushë Kosovë, një në Graçanicë dhe një në Prishtinë.
Në Fushë Kosovë, një grua është arrestuar nën dyshimin se kishte thyer dhe dëmtuar orenditë shtëpiake, ndërsa në një rast tjetër një burrë dhe një grua janë arrestuar pas dyshimit se kishin sulmuar fizikisht njëri-tjetrin pas një mosmarrëveshjeje verbale.
Po në Fushë Kosovë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, e cila si pasojë ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Graçanicë është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht një grua. Rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë është raportuar edhe një rast i dhunës psikologjike, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.
“Palët janë intervistuar dhe pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh.
