Një person nga Shqipëria ka rezultuar pozitiv me virusin “Ethet e Nilit”.
Sipas mediave atje, pacienti menjëherë është nisur drejt Greqisë për t’u kuruar.
Ky virus i njohur si “Ethet e Nilit” përhapet nga mushkonjat që ushqehen me gjakun e zogjve, dhe si i tillë ai nuk përhapet nga njeriu te njeriu.
Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë.
Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma. Kur manifestohen simptomat ato janë shumë të ngjashme me gripin.
Në përgjithësi, kjo sëmundje është e shërueshme, megjithatë, për rreth 1% të pacientëve, mund të degjenerojë në meningjit ose encefalit, sidomos te personat e moshuar ose me imunitet të dobët. /Gazeta Enigma