Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 24 vatra zjarri, 5 prej të cilave kanë qenë problematike duke rrezikuar zona të banura dhe zona të mbrojtura. Kështpu njofton ministria e Mbrojtjes referuar të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile.
“Janë shuar tri vatrat në Qarkun e Lezhës: në Balldren, në zonën pyjore në Orosh si dhe vatra në fshatin Bërzanë, ku flakët rrezikuan zonën e mbrojtur. Favorizimi nga era bëri që në një kohë relativisht të shkurtër zjarri të merrte përmasa të menjëhershme. Por angazhimi i 105 forcave operacionale, prej tyre 60 Forca të Armatosura, të shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor, Policisë së Shtetit, vullnetarë dhe sektori i emergjencave të bashkisë Lezhë si dhe me ndërhyrjen nga ajri të helikopterit Cougar bëri të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e tij në kohë rekord”.
Gjithashtu janë shuar vatrat në fshatin Malajgji të Bashkisë Vau i Dejës dhe një vatër në kurrizin e Moravës, në Devoll.
Gjatë këtyre 24 orëve qarqet më problematike sa i përket zjarreve kanë qenë Shkodra, Vlora dhe Lezha.
Mëngjesi i sotëm ka nisur i qetë. Aktualisht janë aktive tri vatra, të cilat po zhvillohen me intensitet të ulët: vatra në fshatin Lekbibaj në bashkinë Tropojë, në fshatin Shetaj dhe Bizë të bashkisë Durrës.