Qeveria me në krye Edi Ramën për herë të parë ka emëruar përfaqësuese nga komuniteti Rom, në ekzekutiv.
Ina Majko është zgjedhur zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, shkroi Rama në një postim.
“Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale”, u shpreh tutje Rama.
“Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale”.
“Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”, u shpreh në fund Rama.
Emërimi i Majkos vjen pas zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri, ku Partia Socialiste e Ramës siguroi një mandat të katërt. /Gazeta Enigma