Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret, teksa vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 19 vatra, prej të cilave 4 mbeten ende aktive.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat e zjarrit janë evidentuar në disa bashki të vendit, përfshirë Dibrën, Bulqizën, Matin, Rrogozhinën, Vorën, Tiranën, Vlorën, Kuçovën, Krujën, Librazhdin, Prrenjasin, Malësinë e Madhe dhe Korçën.
Në përpjekje për shuarjen e zjarreve, janë angazhuar:36 automjete zjarrfikëse; 394 forca operacionale.
Ministria ka bërë të ditur se i gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në gatishmëri të plotë dhe po ndjek nga afër situatën në terren, për të ndërhyrë në çdo moment që paraqitet nevoja.
Në një apel drejtuar qytetarëve, autoritetet kanë kërkuar kujdes maksimal në mjedise të hapura:
“Ftojmë qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër pranë shërbimeve zjarrfikëse. Edhe pakujdesia më e vogël mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.”, thuhet në apel.