Shqipëria sot hap grupkapitullin e fundit të negociatave me BE-në

Shqipëria sot hap grupkapitullin e fundit të negociatave me BE-në

Shteti shqiptar po shënon një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin e Evropian, ku sot në Bruksel, ajo po hap grupkapitullin e fundit të negociatave, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri- BE.

Komisionerja Marta Kos, gjatë një konference për media, tha se Shqipëria është shembulli më i  mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit, teksa shtoi se vendi është frymëzim për shumë të tjerë në Ballkanin Perëndimor.

“Sot është një ditë e veçantë, jo vetëm për Shqipërinë që përmbyllë, apo që hap të gjithë grupkapitujt, por edhe për Bashkimin Evropian, sepse sot tregon se BE-ja ofron rezultate dhe mund të mbështetemi te Shqipëria në të ardhmen. Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa angazhimin maksimum të Shqipërisë, dhe nga angazhimi i fortë i të gjitha shteteve anëtare”, u shpreh Kos.

“Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit. Kjo tregon se kur jepni rezultate, ju ecni përpara. Ju jeni frymëzim për shumë në Ballkanin Perëndimor. Hapja e të gjithë grupkapitujve është një sukses i jashtëzakonshëm, por mbyllja e tyre është çmimi real”, tha ajo.

Kos, mes tjerash përmend edhe armën e fortë që kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka në anën e tij.

“Ju i dashur Edi, keni diçka shumë të fuqishme në favorin tuaj, mbështetjen më të gjerë publike të të gjitha vendeve kandidate”, deklaroi Kos.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se hapja e të gjithë grup-kapitujve të negociatave ishte, vetëm një vit më parë, një ëndërr e largët, ndërsa sot është bërë realitet.

“Pak kohë më parë dukej e pamundur që të ishim këtu sot, duke çelur të gjithë grup-kapitujt. Ishim në një pikë ku po mësoheshim me sprapsjet, por unë besoj se i gjithë ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm dhe më të pjekur. Ajo që ishte vetëm ëndërr pak më tepër se një vit më parë, sot është plan pune, është realitet”, tha Rama.

Related Articles