Shqipëria do të votojë për një rezolutë për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa Gardën Revolucionare dhe Hezbollahun, organizata terroriste, njoftoi të premten kryeministri i vendit, Edi Rama.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, Rama tha se vendimi do të merret javën e ardhshme.
“Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet ta votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën e Khomeiniste të Iranit – unë me gojë nuk e them dot islamike, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me islamin sipas asaj që unë di dhe çmoj te islami – shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë do të shpallen organizata terroriste Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu”, theksoi Rama.
Hezbollahu është grup militant në Liban i mbështetur nga Irani. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.
Ndërsa, Bashkimi Evropian muaj më parë e shpalli terroriste Gardën Revolucionare të Iranit.
Synimi i Shqipërisë vjen pak ditë pasi Kuvendi i saj ish në shënjestër të një sulmi kibernetik, për të cilin Rama, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, thanë gjatë raportimit në Komisionin për Sigurinë, se erdhi nga Irani.
Kreu i Qeverisë tha se sulmet kibernetike nga Irani janë të vazhdueshme, madje, sipas tij, të përditshme, që prej vitit 2022.
Kryeministri shtoi Shqipëria ka kapacitete mbrojtëse kibernetike, dhe atë ndër më të mirat në Evropë, por tregoi se Kuvendi nuk është përfshirë ende në to.
“Problemi ynë është që nuk kemi përfshirë ende të gjithë sistemin brenda rrjetit të mbrojtjes. Nuk ka probleme me zonat kritike ku ata mund të sulmojnë. Ne sulmohemi nga Irani, çdo ditë, jo njëherë. Nuk kanë ndalur asnjëherë sulmet. Këto janë të dhëna sensitive, në sistemet e mbrojtjes kibernetike ka lexim dhe gjurmë të çdo sulmi, por s’kanë pasur sukses në pjesën e infrastrukturës kritike”, tha Rama.
Ndërsa, Hoxha tha se “fakti që arritën të cenojnë infrastrukturën teknologjike të Kuvendit do të thotë që duhet të jemi shumë të vëmendshëm”.
Ai tha se kjo çështje është ngritur në NATO dhe Shqipëria ka marrë garancinë se nuk është vetëm.
Hoxha theksoi se Shqipëria mbështet politikën e jashtme të sigurisë kolektive dhe renditet krah SHBA-së për ndalimin e programit bërthamor dhe raketave balistike nga Irani.
