Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se Klinika e Otorinolaringologjisë nuk rrezikon mbylljen, sikurse po njoftohet sipas këtij shërbimi nëpër platformat e informimit publik.
Në reagimin e Drejtorisë së SHSKUK-së, thuhet se me anë të këtyre njoftimeve për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga sistemi publik, po krijohet brengë te qytetarët dhe çorientim.
“Klinika e ORL-së, ka 13 mjekë, nuk rrezikon mbylljen. Njoftimet e shpeshta në platformat e informimit publik për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga vendi apo nga sistemi publik me gjithë mirëkuptimin për misionin që kanë profesionistët e informimit, është duke krijuar brenga tek qytetarët dhe jo rrallë çorientim”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Ky institucion më tej ka njoftuar se planifikohet që të shtohet aktiviteti për të reduktuar listat e pritjes në klinika për qytetarët që kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Në klinikën e Otorinolaringologjisë janë të angazhuar 13 mjekë specialistë, e 2 të tjerë janë në proces të rekrutimit, të cilët arrijnë me shumë profesionalizëm të mbështesin nevojat e klinikës. Shtuar këtu që përmes shkollimit specialistik, vetëm klinikës së ORL do të i shtohen edhe 12 specialistë të tjerë pas përfundimit të specializimit”, thuhet më tej në deklaratë.