Shtatë hapat e Kosovës deri në marrjen e statusit të vendit kandidat

Shtatë hapat e Kosovës deri në marrjen e statusit të vendit kandidat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dorëzoi të enjten Çekisë – vendit që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian – aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Një ditë më herët, udhëheqësit e Kosovës, përfshirë kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e nënshkruan aplikimin për anëtarësim në BE në Prishtinë, duke e cilësuar si “hap historik” për Kosovën.

Instituti EPIK ka shpjeguar procedurën, kriteret dhe hapat që duhet përmbushur Kosova për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Sipas institutit EPIK, hapi i parë është përmbushur me dorëzimin e kërkesë për anëtarësim në BE pranë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, që në këtë rast është ajo e Çekisë.

Hapi tjetër është kur Këshilli për Çështje të Përgjithshme kërkon nga Komisioni Evropian opinon mbi meritat e kërkesës.

Më pastaj, Komisioni Evropian i dërgon Kosovës pyetësorin me mbi 2,000 pyetje për çdo fushë të legjislacionit të BE-së.

Kosova përgatit përgjigjet në pyetësorin dhe i dorëzon në Komisionin Evropian.

Komisioni përgatit raportin e tij (Avis) bazuar në përgjigjet e institucioneve dhe kontributet e tjera.

Komisioni dorëzon raportin e tij pranë Këshillit, me vlerësimin e tij nëse Kosova ka përmbushur kriteret për të fituar statusin e vendit kandidat.

Në rast të mendimit pozitiv Këshilli I BE-së dhe më pastaj Këshilli Evropian vendos me unanimitet që t’i jap Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, duke folur se sa do t’i duhet Kosovës për konsumimin e këtyre hapave, ka thënë se “në skenarin pesimist Bosnjës i janë dashur shtatë vite, ndërsa në skenarin optimist Serbisë, Malit Zi dhe Maqedonisë së Veriut nga dy vite”.

“Ne e dimë që janë nevojitur afate të ndryshme për vende të ndryshme që nga Finlanda e Suedia që u janë dashur 3 vjet deri te Malta e Qipro që janë dashur 14 vjet, një mesatare prej 9 vjetësh është reale për Kosovën që të paguaj këtë mesatare”, ka thënë Kurti.

Kryeministri shtoi se Bashkimi Evropian është destinacion që synojmë dhe fati që përqafojmë.

Related Articles